Ende nuk ka asnjë angazhim konkret nga Gjermania për të dërguar tanket e saj në Ukrainë, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
"Një vendim i tillë ende nuk është marrë. Nuk ka premtime. Por, ne po punojmë për të, mjaft hapur", tha Kuleba për transmetuesin publik gjerman ARD.
Sipas tij, Ukraina nuk e kupton pse Gjermania dërgon artileri, por nuk dërgon tanke.
"Për momentin, ka projekte nga Gjermania, e që është shpërndarja e sistemeve Iris-T, që janë armë kundërajrore", tha Kuleba.
Tanket Cheetah janë gjithashtu armë kundërajrore. "Por, deri në këto momente, me sa di unë, tanket nuk janë përfshirë në këtë listë. Kjo është shumë keq", shtoi ai.
Më parë, ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksiy Makeev, tha se kishte marrë premtime në Berlin për dërgesa të mëtejshme të armëve.
Në një intervistë me të përjavshmen gjermane "Welt am Sonntag", Makeev tha se do të ketë një njoftim nga të dyja palët "në kohë" lidhur me llojin e armëve gjermane që do të dërgohen në Ukrainë.
Ai shtoi se në frontin e luftës urgjentisht nevojiten më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, obus të telekomanduar, tanke Gepard dhe municione.
"Gjithashtu, ende jemi në bisedime për dorëzimin e tankeve Marder dhe Leopard. Megjithatë, vendimi për këtë varet nga qeveria federale (gjermane)", tha ambasadori.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deri më tani ka refuzuar të dërgojë tanke luftarake Leopard 2 me arsyetimin se asnjë vend tjetër i NATO-s nuk ka vënë në dispozicion tanke të tilla.
ShBA-ja sinjalizoi të premten se nuk shohin asnjë pengesë për këtë. Por, një gjë e tillë mbetet vendimi i Gjermanisë, u tha gazetarëve zëvendëssekretarja amerikane e shtetit, Wendy Sherman, gjatë një vizite në Berlin.