Vendet e botës sipas Rusisë: konstruktive, neutrale dhe armiqësore.   / Foto: AA

Në kuadër të politikës së saj të re të jashtme, Rusia ka bërë ndarjen e vendeve të botës në "konstruktive, neutrale dhe armiqësore", këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov në një intervistë për revistën "International Affairs".

Siç tha ai, ShBA-ja është emëruar si iniciatore e "luftës hibride", ndërkaq politika e re autorizon marrjen e "masave simetrike dhe asimetrike" në përgjigje të "veprimeve armiqësore".

Sipas tij, "risitë e rëndësishme" u referohen kushteve për përdorimin e forcës në vetëmbrojtje dhe për parandalimin e sulmeve të armatosura ndaj Rusisë dhe aleatëve të saj. "Megjithatë, prioritet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare u jepet mjeteve paqësore", tha zyrtari rus.

Ryabkov theksoi se "pragu" për përdorimin e armëve bërthamore nuk është ulur dhe dispozitat e politikës së parandalimit bërthamor "kanë marrë një specifikim të caktuar dhe sqarime shtesë".

"Armiqtë tanë spekulojnë në mënyrë cinike për këtë situatë, duke u përpjekur të na atribuojnë mungesën e qëllimit për të përdorur armë bërthamore në lidhje me atë që po ndodh në Ukrainë. Nuk ka patur asnjë ndryshim në qasjen tonë ndaj kësaj çështjeje komplekse dhe alarmante", shpjegoi Ryabkov.

Ai tha se Moska nuk do të kthehet në zbatimin e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike derisa ShBA-ja të braktisë qëndrimin e saj skajshmërisht armiqësor ndaj politikës së jashtme ruse.

Ryabkov kritikoi Britaninë e Madhe dhe Francën për mungesë transparence në rritjen e kokave të tyre bërthamore dhe bartësve.

Ai nuk pret ndonjë ndryshim në politikën perëndimore, sepse, siç theksoi, "elitat mbeten të njëjtat atlantistë të bindur".

"Ata që janë në pushtet në Evropën moderne perëndimore, qendrore dhe lindore në masë të madhe janë atlantistë të bindur, njerëz me lidhje të thella jashtë vendit, njerëz që janë rritur atje, kanë studiuar atje, janë ushqyer me një frymë specifike anglo-saksone, janë mësuar të shohin me përçmim të tjerët dhe në mjedisin e tyre të kënaqen me megalomaninë perëndimore", tha Ryabkov.

TRT Balkan / agjencitë