Numri i personave të cilët u vranë në sulmin e ushtrisë izraelite në vendbanimin Ayn Yaqub në Akkar, në pjesën më veriore të Libanit, mbrëmjen e djeshme është rritur në 17.
Agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA raporton se 17 persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në sulmin izraelit që synonte një ndërtesë dykatëshe në Ayn Yaqub mbrëmjen e djeshme.
Në ndërtesën e shënjestruar kishte familje libaneze dhe siriane që erdhën në Akkar nga jugu i Libanit, duke ikur nga sulmet izraelite. Ndërtesa u shkatërrua plotësisht nga sulmi ndërsa u dëmtuan edhe strukturat dhe automjete përreth.
Ministria e Shëndetësisë së Libanit deklaroi se sipas gjetjeve fillestare, 8 persona kanë humbur jetën ndërsa 14 të tjerë janë plagosur në sulmin në një ndërtesë në Ayn Yaqub.
Në Akkar, i cili ndodhet në pjesën më veriore të vendit dhe dihet se është zona e turkmenëve libanezë, Izraeli kishte shënjestruar më parë një urë, por nuk kishte kryer sulm që rezultoi në ndonjë humbje jete.