Xi në takim me Putinin: Zërat për paqen në Ukrainë po shtohen / Foto: Reuters

Presidenti i Kinës Xi Jinping ka theksuar në bisedimet e tij me homologun rus Vlladimir Putin se "zërat për paqen dhe racionalitetin" për çështjen e Ukrainës "po ndërtohen".

“Shumica e vendeve mbështesin zbutjen e tensioneve, mbështesin bisedimet e paqes dhe janë kundër hedhjes së benzinës në zjarr” i tha Putinit presidenti kinez gjatë takimit të tyre të hënën mbrëma në Moskë, sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Xi është në një udhëtim triditor në Rusi deri të mërkurën.

Rusia nisi një luftë kundër Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar që rezultoi në vdekjen dhe plagosjen e mijëra njerëzve dhe emigrimin e detyruar të miliona të tjerëve nga vendi i shkatërruar nga lufta.

Sipas Pekinit, Xi dhe Putin patën një "bisedim të thelluar të pikëpamjeve për çështjen e Ukrainës".

“Një rishikim i historisë tregon se konfliktet në fund duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe negociatave”, vuri në dukje Xi.

Ai shtoi se Kina mbështeti një zgjidhje politike të krizës dhe hodhi poshtë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe sanksionet e njëanshme.

“Kina beson se sa më shumë vështirësi të ketë, aq më e madhe është nevoja për të ruajtur hapësirën për paqen. Sa më i rëndë të jetë problemi, aq më e rëndësishme është të mos heqësh dorë nga përpjekjet për dialog. Pekini do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në promovimin e zgjidhjes politike të çështjes së Ukrainës”, i tha presidenti kinez Putinit.

Sipas njoftimit të takimit të publikuar nga Pekini, Putin i tha presidentit Xi se Rusia është "e hapur për bisedime" për paqen për çështjen e Ukrainës.

Putin ka përshëndetur "rolin konstruktiv" të Pekinit në këtë drejtim.

“Rusia ka studiuar me kujdes dokumentin e pozicionit të Kinës për zgjidhjen politike të çështjes së Ukrainës dhe është e hapur për bisedime për paqe. Rusia mirëpret Kinën që të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim”, tha Putin.

Muajin e kaluar, Kina lëshoi një deklaratë duke përshkruar pozicionin e Pekinit për një zgjidhje politike të luftës në Ukrainë, e cila përfshinte 12 pika të tilla si respektimi i sovranitetit të të gjitha vendeve, ndërprerja e armiqësive, rifillimi i bisedimeve të paqes dhe zgjidhja e krizës humanitare në rajon.

Plani gjithashtu përmban thirrje për sigurinë e termocentraleve bërthamore, lehtësimin e eksporteve të grurit dhe ndërprerjen e sanksioneve të njëanshme, duke theksuar se "dialogu dhe negociatat janë të vetmet zgjidhje praktike për krizën e Ukrainës".

AA