Zelenskyy: 31 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në luftën me Rusinë.   /Foto: AA

Gjatë dy viteve të fundit, 31 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në luftën kundër Rusisë, tha të dielën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Duke folur në një forum në kryeqytetin Kiev, Zelenskyy tha se 31 mijë ushtarë ukrainas "kanë humbur jetën në këtë luftë".

"Jo 300 mijë apo 150 mijë apo çka do që thotë (presidenti rus Vlladimir) Putin dhe rrethi i tij gënjeshtar. Por, secila prej këtyre humbjeve është një humbje e madhe për ne", tha ai në ngjarjen e titulluar Ukrainë, Viti 2024.

Ai nuk bëri të ditur numrin e të plagosurve, duke thënë se kjo do të ndihmonte planifikimin ushtarak rus. Kjo ishte hera e parë që Kievi konfirmoi numrin e humbjeve që kur Moska filloi "operacionin e saj special ushtarak" në vend më 24 shkurt 2022.

Zelenskyy tha se "dhjetëra mijëra civilë" ishin vrarë në zonat e pushtuara të Ukrainës, por se shifrat e sakta nuk janë aktualisht të disponueshme.

Presidenti ukrainas pretendon se 180 mijë trupa ruse janë vrarë gjatë luftës.

AA