Zelenskyy i frikësohet Luftës së Tretë Botërore nëse Kina mbështet Rusinë.     /Foto: AA 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha të hënën (20 shkurt) se ai kontaktoi udhëheqësinë kineze dhe “u kërkoi atyre që të mos ofrojnë asnjë mbështetje për Rusinë” në luftën e saj kundër Ukrainës.

“Shpresa ime është që qeveria në Pekin të mbajë qëndrim pragmatik, përndryshe rrezikojmë Luftën e Tretë Botërore – të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Zelenskyy në një intervistë për të përditshmen italiane La Repubblica.

Ukraina ka pasur gjithmonë një "marrëdhënie të shkëlqyer me Kinën" dhe është "në interesin e të gjithëve që të mos përkeqësohet", shtoi ai.

Ndërsa Kina konsiderohet ndër mbështetësit kryesorë të Rusisë, ajo ende nuk ka ofruar mbështetje ushtarake për Moskën. Megjithatë, ShBA-ja pohon se Kina së shpejti mund ta furnizojë me armë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli për televizionin CBS të dielën për informacionin se Kina po "konsideronte ofrimin e mbështetjes vdekjeprurëse" për Rusinë. Kur u pyet se çfarë donte të thoshte me këtë, Blinken u përgjigj: "Armë, kryesisht armë".

Përveç kësaj, Zelenskyy kritikoi presidentin francez Emmanuel Macron për kërkimin e vazhdueshëm të bisedimeve me Rusinë. "Do të jetë një dialog i pasuksesshëm. Në fakt, Macron po humb kohën e tij. Unë kam arritur në përfundimin se ne nuk jemi në gjendje të ndryshojmë qëndrimin rus", tha presidenti ukrainas.

TRT Balkan / agjencitë