Ekipet e zjarrfikësve janë duke luftuar me zjarret të cilat kërcënuan komunitetet në perëndim të Kanadasë të dielën.
Zyrtarët në Alberta kanë regjistruar 108 zjarre aktive në provincë ndërsa numri i të evakuuarve është rritur në rreth 29 mijë, nga rreth 24 mijë të shtunën, kur u shpall gjendje e jashtëzakonshme në mbarë shtetin.
Dy zjarre të cilat po ashtu kanë dalë jashtë kontrollit në shtetin fqinj British Columbia detyruan disa banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre, kurse zyrtarët paralajmëruan se prisnin që erërat e forta të shkaktonin intensifikimin e zjarreve gjatë ditëve të ardhshme.
Zyrtarët lokalë në Alberta thanë se në ditët në vijim parashikohet mot më i favorshëm me reshje të dobëta shiu dhe vranësira.
Colin Blair, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave në Alberta, tha se ata ende nuk kanë informacion të saktë mbi dëmet.
Ndërtesat në qytetin Fox Lake u shkatërruan, duke përfshirë 20 shtëpi, një stacion policie dhe një dyqan.
Në verilindje të British Columbia, zyrtarët u kërkuan banorëve të evakuojnë zonat e prekura nga zjarret pranë kufirit të Albertës.