Zv/Presidenti Vance: Pa ShBA-në, Ukraina s’do të ekzistonte. / Foto: AA

Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance tha se "Pa bujarinë e ShBA-së, Ukraina nuk do të ekzistonte".

Vance foli në një kanal në YouTube në margjinat e takimit vjetor të Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC) 2025 ndërsa bëri deklarata për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

"Po të mos ishte bujaria e ShBA-së, nuk do të kishte një vend të quajtur Ukrainë", deklaroi Vance duke mbrojtur idenë se Zelenskyy duhet "të jetë mirënjohës".

"Nëse Zelenskyy ka një problem me presidentin e ShBA-së, Donald Trump, ai duhet ta telefonojë atë", tha Vance i cili më tej porositi presidentin ukrainas: "Mos flisni keq për presidentin amerikan duke dalë në media në Evropë. Kjo është fyese për të, për mua dhe për popullin amerikan. Dhe gjithashtu është marrëzi".

Vance tha se mendja e Trumpit nuk do të ndryshojë në këtë mënyrë. "Zelenskyy ka nevojë për këshilltarë më të mirë", shtoi ai.

Ndeshja e hokejit ShBA-Kanada

Po ashtu Vance foli edhe për ndeshjen e hokejit SHBA-Kanada.

"Nëse Kanadaja nuk e fiton ndeshjen tarifat do të rriten edhe më shumë. Po bëj vetëm shaka. Ky është vendimi i presidentit të ShBA-së", u shpreh Vance.

Përpara ndeshjes Trump publikoi mesazhin e tij: "I uroj fitoren ekipit tonë kundër Kanadasë, e cila së shpejti ndoshta do të bëhet shteti ynë i 51-të i çmuar dhe shumë i rëndësishëm".

TRT Balkan / agjencitë