Rivalitetet e përshkallëzuara gjeopolitike po rrisin rreziqet e konfrontimeve të dhunshme midis shteteve të armatosura bërthamore, paralajmëroi të premten sekretari rus i Këshillit të Sigurimit, Sergej Shoygu.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Shoygu tha se vendet perëndimore po angazhohen në "agresion ideologjik dhe të bazuar në vlera" kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ai theksoi se këto përpjekje shtrihen përtej sanksioneve ekonomike, me Perëndimin që po përpiqet gjithashtu të destabilizojë sistemet e brendshme politike të të dyja vendeve.
"Mes përshkallëzimit të konflikteve globale dhe intensifikimit të konkurrencës gjeopolitike, rreziku i konfrontimeve të dhunshme midis fuqive të mëdha, duke përfshirë ato që zotërojnë aftësi bërthamore, po rritet," paralajmëroi Shoygu.
Ai kritikoi Perëndimin për përpjekjet e vazhdueshme për ta minuar stabilitetin shoqëror, për t'i destabilizuar themelet kombëtare dhe për të imponuar atë që ai e quajti një "ideologji aliene neoliberale" në shoqërinë globale.
Shoygu pohoi se këto veprime jo vetëm që dëmtojnë Rusinë dhe Bjellorusinë, por gjithashtu kontribuojnë në paqëndrueshmërinë globale.
"Ka një zhvlerësim të vazhdueshëm të institucioneve ndërkombëtare, të cilat po kthehen gjithnjë e më shumë në mjete politike. Po bëhen gjithashtu përpjekje për t'i prishur iniciativat globale që synojnë parandalimin e një gare armësh në hapësirën e jashtme, duke e shtyrë në mënyrë efektive hapësirën drejt shndërrimit në një arenë të re për konfliktin e armatosur. ”, shtoi ai.
Ai përfundoi duke argumentuar se këto veprime pasqyrojnë një përpjekje të qëllimshme për t'i dobësuar Rusinë dhe Bjellorusinë, duke i privuar ato nga sovraniteti dhe aftësia për t'i përcaktuar në mënyrë të pavarur rrugët e tyre të zhvillimit ose për t'i ndjekur interesat e tyre strategjike.