Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, përcolli sot mesazh me rastin e 112-vjetorit të diplomacisë shqiptare.
“112 vjet histori, përkushtim dhe krenari në shërbim të diplomacisë shqiptare”, shkroi Hasani në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga telegramet e para të dërguara në kancelaritë evropiane dhe botërore për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Sot shënojmë një trashëgimi të jashtëzakonshme të shërbimit diplomatik, një histori përkushtimi ndaj interesave kombëtare, paqes dhe sigurisë”, u shpreh ministri shqiptar.
“Me përgjegjësi, ripërtërijmë angazhimin tonë për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe për ta mbështetur komunitetin shqiptar kudo në botë”, nënvizoi më tej ministri Hasani.
Shteti parlamentar i Shqipërisë së Pavarur u themelua në Vlorë më 28 nëntor 1912. Kuvendi i tij u formua në të njëjtën ditë, ndërsa qeveria dhe senati u krijua më 4 dhjetor 1912.
Delegacioni i Shqipërisë paraqiti një memorandum në Konferencën e Londrës të vitit 1913 ku kërkoi njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë së pavarur.