Kryeministri Edi Rama u shpreh dje se projekti i portit tregtar të Porto Romanos në Durrës, një nga veprat më strategjike për Shqipërinë e për rajonin, ka zgjuar një interes të madh dhe qeveria është e vendosur për ta jetësuar.
Kryeministri Rama, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, dhe përfaqësues të një numri të madh kompanish dhe institucionesh financiare ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano ndoqën sot prezantimin shpjegues mbi këtë vepër strategjike.
Rama vlerësoi prezencën e këtyre kompanive në këtë prezantim ballafaques të natyrës tekniko-financiare që, sipas tij, tregon jo vetëm interes, por edhe besim.
“Duke qenë të vetëdijshëm që eksperienca kaq shumë e nevojshme nuk është në anën tonë, ne u jemi referuar ekselencave ndërkombëtare si në rastin e një ekselence me reputacion të padiskutueshëm në nivel botëror, siç është kompania “Royal Haskoning”, e cila po punon intensivisht me një seriozitet dhe me një korrektesë, kapacitete teknike dhe talent për t’u admiruar”, tha Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për kompaninë holandeze, ndërsa shtoi se “holandezët aq sa janë të zotë, janë edhe të shtrenjtë”.
“Natyrisht nuk po punojnë falas ashtu sikur ju e dini se, holandezët janë sa të zotë, aq edhe të të shtrenjtë dhe nuk ka të dytë në aftësinë e tyre për të qenë tregtarë fitues. Por, në fund të fundit e meritojnë atë që marrin, ndaj nuk kemi asnjë pendesë që po i paguajmë jo dhe aq lirë dhe besoj se kompania është një nga arsyet që ju keni ardhur këtu me besim”, shtoi ai.
Rama vlerësoi se lista e kompanive pjesëmarrëse në këtë takim ka një shtrirje gjeografike goxha mbresëlënëse.
“30 kompani të kësaj fushe, të gjitha të mbledhura këtu për të parë nga afër dhe bërë pyetjet e nevojshme të natyrës tekniko-financiare në një projekt si yni, na mbush me kënaqësi, edhe pse në fund vetëm 1 kompani do të fitojë. Kjo do të ndodhë si rezultat i një procesi që do t’ju bëjë të riktheheni në Shqipëri me shumë më tepër siguri se herën e parë dhe shumë më tepër respekt”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se janë të vetëdijshëm se për ta bërë Shqipërinë vendin që meritojnë fëmijët e tyre, kanë nevojë për partnerë të duhur me eksperiencë që kanë treguar se çfarë janë të zotët të bëjnë.