Biznesmeni i njohur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, zbulon planet e tij ambicioze me investimin prej 2.5 miliardë dollarësh në Durrës për median “Arabian Business”.
“Po bëj diçka që nuk është bërë kurrë më parë, kurrë”, thotë Mohamed Alabbar në një intervistë për “Arabian Business”,
Me “diçka” shkruan “Arabian Business”, ai nënkupton projektin spektakolar prej 2.5 miliardë dollarësh në Shqipëri, “Durres Yachts and Marina”, i cili po zhvillohet nga grupi i tij i kompanive, Eagle Hills Group.
Sipas Alabbar, kur të përfundojë, do të jetë marina më e madhe e superjahteve në Mesdhe, si dhe do të transformojë plotësisht bregdetin shqiptar në qytetin e Durrësit.
Ai flet dhe për vizionin e tij për Shqipërinë.
“Botës i nevojitet më shumë se një Monako dhe do të bëhet pikërisht këtu. Më pëlqen shumë Monako, por është tepër i vogël dhe kërkesa për të shumë e lartë. Kështu që, ky është premtimi im: do t’i dhuroj botës një Monako tjetër”, deklaron Alabbar.
Nga shenjat e para duket se ai do të jetë më se i suksesshëm. Projekti po modelohet si “një ndër qytetet e reja më të qëndrueshme të botës, që bën bashkë praktikat miqësore ndaj mjedisit, hapësirat e gjelbra dhe teknologjinë inteligjente për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe emetimet e dioksidit të karbonit”.
Zhvillimi i projektit do të akomodojë jahte dhe super-jahte deri në 120 metra, së bashku me hotele, rezidenca private, shëtitore, dyqane, restorante dhe hapësira argëtuese. Do të përfshijë gjithashtu dhe terminalin e parë në Shqipëri për linjat ndërkombëtare të lundrimit.
Mbi 80.000 metra katrorë parqe dhe hapësira të lira po planifikohen gjithashtu, së bashku me 170 dyqane.
Por, është më tepër se fjalë të bukura dhe ëndrra, si çdo zhvillim projekti, gjithçka lidhet me numrat.
“Është fakt i padiskutueshëm që pronat pranë ujit kanë vlerë rreth 35% më të lartë. Pika të tilla jo vetëm janë të limituara në numër botërisht, por edhe në Mesdhe janë shumë pak zona ku mund të realizohet diçka e tillë. Thënë thjesht, afërsia me ujin dhe jahtet është një stil i mrekullueshëm jetese”.
Projekti po ndërtohet në Durrës, një ndër qytetet më të vjetra të Shqipërisë, themeluar më 627 p.e.s.
“Shqipëria është sekreti i fundit i Evropës. Njohuritë që kam më shërbejnë aq sa të realizoj diçka që nuk është bërë kurrë më parë. Dhe çka po bëjmë është që po miksojmë artin tonë me ushqimin dhe muzikën. Njerëzit duan, madje kërkojnë, një jetë të bukur, pikërisht këtë po planifikojmë t’u japim këtu”, tha ai, duke shtuar: “Kur krahason Shqipërinë me pjesën tjetër të rajonit, del se ajo ka vlerën më tërheqëse krahasuar me të gjitha shtetet që e rrethojnë”.
Megjithatë, si me gjithçka që bën Alabbari, lidhet fillimisht dhe kryesisht me numrat.
“E kam bërë këtë punë për 30 vite, prandaj e di që kur vjen puna te tokat e virgjëra, që nuk janë pranë ujit, blerësit e parë minimalisht do ta dyfishojnë vlerën e pronës që blejnë. Në Downtown Dubai vlera u trefishua dhe po ashtu ndodhi me projektet që realizuam në Serbi. Në Egjipt e pamë vlerën e blerësve të katërfishohej. Por, përgjithësisht, ju do të kërkonit ta dyfishonit vlerën e shtëpisë suaj derisa të realizohet projekti, nëse jeni blerësit e parë”, shprehet Alabbar.
Është një punë e vështirë. Megjithatë, duke marrë shembullin e mega-projekteve të realizuara nga Alabbari, si Burj Khalifa dhe Dubai Marina, Durrësi duket si një xhiro në park.
Ose, siç do të preferonte të shprehej Alabbari, një ecje në shëtitore.
Ndryshe, javë më parë Kuvendi i Shqipërisë e miratoi ligjin për Portin e Durrësit. Opozita në Shqipëri u shprehë kundër këtij projekti.