Ish-kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili aktualisht është edhe anëtar i Parlamentit Evropian si përfaqësues i Greqisë, është liruar nga burgu.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka vendosur sot të lirojë me kusht Belerin, i cili duhet të mbajë kontakte me autoritetet policore shqiptare.
Beleri ishte dënuar me dy vite burg për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje". Lirimi i Belerit është konfirmuar nga një prej avokatët e tij, Geni Gjyzari, i cili në një deklaratë për mediat tha se gjykata e pranoi kërkesën dhe urdhëroi lirimin para kohe.
Sipas avokatëve të tij, Belerit i mbeteshin edhe rreth 6 javë burg.
Beleri kishte kërkuar lirimin e tij për të ushtruar detyrën si eurodeputet, ndërkohë mandatin si kryebashkiak të Himarës nuk e ushtroi asnjë ditë, pasi nuk u betua dhe u dënua.
Për lirimin e Belerit ka reaguar Organizata Bashkimi Demokratik i Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri-ΟΜΟΝΟΙΑ.
"Sot u lirua kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës dhe eurodeputeti i Fredi Beleri (Alfred Beleri)", ka shkruar në rrjetet sociale ΟΜΟΝΟΙΑ. Gjithashtu, ΟΜΟΝΟΙΑ ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të organizohet një takim i Belerit me mbështetësit e tij.
Çështja ndaj Alfred Belerit Më 12 maj 2023, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".
Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJKKO) e dënoi më 5 mars të këtij vitit me dy vite burg Belerin për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje".
Më 25 qershor Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GJPAKKO) ka lënë në fuqi dënimin me dy vite burg.
Më 5 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) vendosi të shpallë të pavlefshëm mandatin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri.
Arrestimi dhe dënimi i Belerit, i cili është zgjedhur anëtar i Parlamentit Evropian si përfaqësues i Greqisë, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe Greqi.