Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka akuzuar politikanët grekë për organizimin e protestave të djeshme në Himarë, për lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës me kombësi greke, Fredi Beleri. Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale të kryeministrit, Rama thotë se protestat e nxitura nga Greqia janë mbi çdo normë juridike e logjikë demokratike.
“Në memorien time nuk ka një rast tjetër kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike”, shkruan Rama.
Rama theksoi se çështja “Beleri” është çështje e gjyqësisë dhe askush nuk mund të ndërhyjë në këtë rast.
“Po kush dhe si mund ta lirojë sot nga burgu një qytetar shqiptar me kombësi greke, i cili si kandidat për kryetar bashkie, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, se ka kryer krimin e blerjes së votave – për të cilin Kodi Penal i Shqipërisë është i qartë dhe drastik – ndërsa sipas vendimit të pandryshuar në të tria shkallët e gjykimit, nuk mund ta lëjë paraburgimin deri në fund të procesit gjyqësor ndaj tij?!”, theksoi ai.
Kryeministri i Shqipërisë përkujtoi se organet e njëjta të drejtësisë po përndjekin edhe 48 persona të tjerë, përfshirë edhe kryetar bashkie nga partia e tij, duke nënvizuar se Fredi Beleri nuk mund të marrë trajtim tjetër nga të akuzuarit e tjerë.
Shqipëria dhe Greqia, sipas Ramës, vazhdojnë të jenë fqinj e miq, dhe nuk duhet lejuar kurrësesi që “të digjet jorgani për një plesht”.
Fredi Beleri akuzohet për veprën penale blerje të votave në garë për bashkinë e Himarës në Shqipëri