Xhaçka takon Dendiasin në Bruksel, flitet edhe për arrestimin e Belerit / foto: ATA

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka ka zhvilluar një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias në Bruksel, në kuadër të takimit informal të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Xhaçka bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale se gjatë këtij takimi me homologun grek kanë diskutuar mbi çështjen “Beleri”.

“Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe”, deklaroi kryediplomatja shqiptare.

Ministrja ka theksuar në takim me Dendias se “z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin”.

Xhaçka ka deklaruar se “blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë”.

“E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë”, është shprehur ministrja Xhaçka në takimin me kryediplomatin grek.

ATA