Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla priti sot në një takim drejtorin e TikTokut për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek, ku i shprehu shqetësimet mbi ngjarjet e fundit dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, dezinformimit, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.
Gjithashtu, gjatë takimit ministri Balla ka kërkuar edhe informacion të detajuar mbi ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve.
“I kërkova kompanisë TikTok vendosjen e pikave të përhershme të kontaktit me Policinë e Shtetit dhe përgjigje sa më të shpejtë mbi rastet e denoncuara prej tyre”, bën të ditur Balla.
Sipas tij, është urgjente vëmendja e shtuar sa i përket kontrollit të postimeve në gjuhën shqipe.
“Ministria e Brendshme po studion me vëmendje përmirësimet ligjore të ndërmarra edhe nga Bashkimi Europian, siç janë Akti i Shërbimeve Digjitale, Akti i Tregjeve Digjitale etj., me qëllim krijimin e një hapësire digjitale në Shqipëri ku të drejtat dhe detyrimet themelore të përdoruesve janë të mbrojtura dhe të përcaktuara qartë”, shtoi ministri Balla.
Drejtuesi i TikTokut, i cili bashkë me ekipin e tij gjatë ditës së sotme do të takohet edhe me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe agjenci të tjera, informoi mbi masat që është duke ndërmarrë për të rritur nivelin e moderimit të postimeve në gjuhën shqipe dhe mbi mundësitë që ofron aplikacioni për denoncimin e rasteve dhe kontrollin prindëror mbi postimet e fëmijëve.