Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, presidenti Bajram Begaj deklaroi se kombin shqiptar e bashkojnë aspiratat euro-atlantike.
“Na bashkon jo vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata e madhe e integrimit evropian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë”, ka thënë Begaj.
Ai në vazhdim përmendi edhe disa nga vlerat për të cilat duhet të jenë të bashkuar.
“Duhet të jemi bashkë në luftën kundër korrupsionit, pabarazisë dhe varfërisë, bashkë për çështje të sigurisë kombëtare dhe reformave në drejtësi, bashkë për një shoqëri të lirë, të angazhuar dhe të arsimuar, për një Shqipëri të mundësive të barabarta, të medias së lirë, të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve e të rinjve që gjejnë hapësirë dhe shpresë që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në vendlindjen e tyre”, deklaroi Begaj.
Sipas Begajt, përgjegjësitë e Shqipërisë janë edhe më të mëdha se kaq.
“Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqizimin dhe prosperitetin e faktorit shqiptar kudo ku ata jetojnë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e kombëtare”, shtoi Begaj.
Begaj gjatë fjalimit të tij potencoi se shqiptarët kanë sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur që synon integrimin në BE dhe në NATO.
“Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj çdoherë që të jetë e nevojshme, bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur në rrugëtimin e saj euroatlantik”, përfunoi Begaj duke uruar 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në ceremoninë e festimit të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë morën pjesë edhe krerët e Kosovës.