Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj po qëndron për vizitë zyrtare në Baku, ku u prit nga presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev. Në konferencën e përbashkët për media, presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit jugor dhe integritetin territorial të Azerbajxhanit.
“Me Presidentin Aliyev, u ndalëm dhe në çështje me rëndësi në politikën e jashtme. Ndoqa me vëmendje bisedimet e fundit në Washington mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Shqipëria mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit jugor, të ndërmjetësuar nga partnerë të besueshëm. I shpreha Presidentit Aliyev se Shqipëria ka mbështetur gjithnjë integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit”, tha Begaj.
Presidenti i Azerbajxhanit Aliyev, nga ana tjetër, foli për projektin e gazifikimit të Shqipërisë dhe tha se do të fillojë menjëherë investimi në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit.
“Një pikë tjetër e diskutimit gjatë komunikimeve tona është projekti i gazifikimit të Shqipërisë dhe është përzgjedhur një projekt-pilot. Gjithçka po shkon sipas planifikimit dhe në fund të vitit do të kemi një studim fizibiliteti në lidhje me këtë dhe mendoj se pas kësaj shpresoj do të fillojmë menjëherë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit”, tha Aliyev.
Aliyev u shpreh gjithashtu se investitorët e Azerbajxhanit janë të gatshëm të konsiderojnë në mënyrë serioze projektet në Shqipëri, qoftë në turizëm, në bujqësi, ose në çdo fushë tjetër.