Begaj në stërvitjen ‘Defender 23’: Shqipëria, faktor stabilizues në Ballkan / Foto: AA

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, siguroi sot se, Shqipëria do të vazhdojë gjithnjë të mbrojë vlerat e paqes dhe unitetit, duke qëndruar krahpërkrah ShBA-së e NATO-s.

Presidenti përshëndeti nisjen e stërvitjes “Defender Europe 23”, ndërsa në pozitën e Komandantit të Përgjithshëm inkurajoi qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për FA-në dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.

“Dy vjet me parë, kur nisëm punën për stërvitjen ‘Defender Europe 2021’, e dinim se sfida ishte tepër e madhe për kapacitetet e vendit tonë. E megjithatë ne arritëm të tregojmë se dimë të ngrihemi me përgjegjshmëri në lartësinë e detyrës dhe se Shqipëria jonë e vogël, në fakt, rreh më shumë se pesha e saj”, tha ai.

Presidenti vlerësoi nisjen për herë të dytë të kësaj stërvitjeje nga Shqipëria, ndërsa konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e palëkundur dhe gatishmërinë e vendit tonë, për të intensifikuar gjithmonë e më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas tij, “Defender Europe” lindi si një stërvitje për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës në rast konflikti ose kërcënimi.

“Me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse. Këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në rajonin tonë të brishtë të Ballkanit Perëndimor, ku aktorë dashakeqës, që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne, përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre. Prandaj, rëndësia e kësaj stërvitje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj më se e nevojshme”, tha ai.

Begaj theksoi se Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë.

“Pandyshim, meritat për këtë i takojnë secilit prej burrave dhe grave në uniformë që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura dhe nderojnë dhe lartësojnë çdo ditë flamurin e Shqipërisë. Ju jeni një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe mirënjohja për angazhimin dhe profesionalizmin tuaj nuk mund të shprehet mjaftueshëm”, shtoi ai.

Sipas Kreut të Shtetit, çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit, dhe një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrsesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet.

ATA