Begaj pret Herzogin në Tiranë: Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike / Photo: /Foto: Bajram Begaj/X

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka pritur sot me ceremoni zyrtare presidentin e shtetit të Izraelit, Isaac Herzog, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Tiranë.

Presidenti i Izraelit Herzog u prit me nderime shtetërore ndërsa u kënduan dhe himnet e dy vendeve.

Bashkëpunimi dypalësh, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova, situata në Lindjen e Mesme dhe çështjet e sigurisë kibernetike ishin në fokus të takimit kokë më kokë.

Presidenti Begaj e vlerësoi vizitën e homologut të tij izraelit si një rast të shkëlqyer për gjetjen e mundësive të reja të forcimit të bashkëpunimit, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Shqipërisë në këtë drejtim.

“Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë”, theksoi presidenti shqiptar.

“Çdo shqiptar, – shprehu Presidenti Begaj, – është krenar kur kujton mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.”

Sipas presidentit Begaj, të njëjtat ndjenja ndajnë edhe shqiptarët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë aspekt, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli është një vendim shumë i rëndësishëm gjeopolitik, me ndikim pozitiv rajonal.

Për sa u përket zhvillimeve në Ballkan, presidenti Begaj u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues.

Presidenti shqiptar gjatë këtij takimi i shprehi mirënjohje Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022.

Po ashtu, presidenti shqiptar rikonfirmoi qëndrimin se “Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”.

Ai gjithashtu ka theksuar theksuar se e dënon ashpër rrëmbimin e civilëve dhe ka bërrë thirje për lirimin e menjëhershëm të tyre.

“Ne mirëpresim lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve”, – u shpreh Begaj në takimin me Presidentin Izraelit Herzog, duke përsëritur thirrjen që ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë.

Nga ana tjetër, Begaj u shpreh po ashtu se Shqipëria mbështet plotësisht planin e paraqitur nga Presidenti i Biden (presidenti i ShBA-së), i cili do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, në lirimin e të gjitha pengjeve, në rritje të ndihmave humanitare për Gazën.

Ndërkaq, presidenti izraelit Isaac Herzog shprehu falendërimet e tij ndaj homologut Begaj për mikëpritjen e ngrohtë, duke theksuar se “Miqësia jonë qëndron si një shembull i lidhjeve të thella midis popujve tanë, midis myslimanëve, hebrenjve - dhe njerëzve të të gjitha besimeve.”

“Ky moment i rëndësishëm po shënohet gjatë ditëve të vështira të luftës - ndërkohë që pengjet tona vazhdojnë të mbahen në robëri brutale nga Hamasi, si dhe përfaqësuesit e terrorit të Iranit vazhdojnë të kërcënojnë rajonin dhe stabilitetin botëror”, tha Harzog.

Presidenti izraelit Isaac Herzog pritet të zhvillojë takim edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Vizita në Tiranë e presidentit izraelit vjen në periudhë kur sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza kundër popullatës palestineze vijojnë, pavarësisht faktit se deri më tani janë vrarë mbi 41.000 civilë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë fëmijë, gra dhe të moshuar.

TRT Balkan / agjencitë