Begaj: Shtete jomiqësore u përpoqën të frenojnë integrimin e Shqipërisë / Foto: Bajram Begaj/Shqipëri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të analizuar gjendjen e sigurisë kombëtare dhe prioritetet për vitin 2023.

Presidenti e vlerësoi vitin që lamë pas si të vështirë dhe sfidues për sigurinë kombëtare.

“Sulmi kibernetik shkaktoi probleme në infrastrukturat digjitale. Në aspektin rajonal, kishim përpjekje nga shtete me interesa jomiqësore për frenimin euroatlantik”, tha Begaj.

Begaj theksoi se Shqipëria mbetet në krah të Kosovës për ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të saj.

“Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike. Efektet e këtij agresioni u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve”, tha Begaj.

Në këtë drejtim, Presidenti kërkoi angazhim gjithëpërfshirës institucional për të siguruar bashkërendimin dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies.

ATA