Borrell dhe Varhelyi në Tiranë, Rama kërkon mbështetje financiare / Foto: Screenshot - Facebook / Edi Rama

Takimi i 12-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë u zhvillua sot në Tiranë, për herë të parë në kryeqytetin shqiptar.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e cilësoi si mundësi dhe ditë të veçantë dhe tha se me mbajtjen e mbledhjes së Këshillit në Tiranë duan të japim një sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e BE-së ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Borrell theksoi përparimin e Shqipërisë në reformat e nevojshme, sidomos në drejtësi, ndërsa tha se e mirëpret vendimin e qeverisë që të heqë dorë nga “pasaportat e arta”.

“Institucionet shqiptare duhet të përshpejtojnë reformat duke u bazuar në mbështetjen masive të popullit shqiptar për integrimin evropian. Patëm mundësi të mirëpresim vendimin e kryeministrit Rama që nuk do të bëhet miratimi i pasaportave të arta”, tha Borrell, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe Komisarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Eurokomisari Varhelyi, nga ana tjetër, foli për “1,8 miliard euro grante për zbatimin e 40 projekteve kryesore në Ballkanin Perëndimor”.

“Kemi dhënë 1,8 miliardë euro grante për zbatimin e 40 projekteve kryesore në Ballkan, por na duhet të shkojmë përtej. Na duhen lidhje tregtare që do të thotë rrugë e hekurudha, ndërlidhje digjitale, na duhet siguria energjetike dhe na duhet më shumë energji për Ballkanin Perëndimor”, tha Varhelyi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se “është koha që Bashkimi Europian të bëjë një hap përpara për sa i përket mbështetjes financiare për Ballkanin Perëndimor”.

“Hendeku ynë me vendet e tjera të BE-së që janë rrotull nesh si Greqia, Kroacia dhe të tjerë në përfitimin e mbështetjes evropiane është marramendës. Ne nuk e përballojmë dot, Ballkani Perëndimor nuk e përballon dot këtë hendek që zgjerohet, në kushtet kur jemi edhe të sfiduar nga vendet e mëdha që marrin njerëz, i paguajnë më mirë, etj”, shtoi Rama.

Borrell: Ka ujdi mes Kosovës dhe Serbisë për propozimin evropian

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, është pyetur nga mediat edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në prag të takimit të 18 marsit në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit me ndërmjetësim të evropianëve.

Borrell tha se ka dakordimin për marrëveshjen, por po punohet për planin e zbatimit të saj.

“Aktualisht po punojmë, jo vetëm me marrëveshjen në vetvete, për të cilën është rënë dakord tashmë, por për zbatimin e saj. Ky zbatim është një shtojcë që është pjesë përbërëse e vetë marrëveshjes që do të detyronte palët të sigurojnë dhe të kenë të njëjtin kuptim, për sa i përket afateve dhe modaliteteve, për të cilat palët duhet të bien dakord”, tha Borrell.

TRT Balkan / agjencitë