Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi.     Foto: Bledi Çuçi/Facebook

Kemi në kontroll çdo gjë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake në Gramsh dhe përfundimi i hetimeve do të tregojë se me çfarë rasti konkret kemi të bëjmë, tha sot në një konferencë për shtyp ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi.

Ministri Çuçi, konferencën e zhvilloi së bashkum e ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, me çka theksoi se për rastin e Gramshit ka një hetim që ka filluar dhe kemi një procedim e akuzë nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit.

Sipas tij, është një ngjarje po hetohet me të gjithë faktet e rrethanat që ekzistojnë për këtë ngjarje.

“Siç e tha ministri Peleshi pavarësisht se ky objekt ka qenë dhe është i deklasifikuar për nga rrethana se si kanë tentuar të hyjnë shtetasit e huaj dhe për pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruara ndaj personave që ishin në detyrë për ruajtjen e objektit, këta persona janë marrë nën hetim nga Prokuroria e rrethit të Elbasanit”, nënvizoi Çuçi.

Mes tjerash ai shtoi se hetimi do të bëhet i plotë.

“Mendoj që për çdo të dhënë tjetër ne lidhje me këta persona t’ia lëmë hetimit ta zbërthejë deri në fund skemën policia nën drejtimin e Prokurorisë. Pa diskutim gjatë ditëve në vijim për elementë të rinj që do dalin apo në lidhje me përfundimin e hetimit do komunikojmë me publikun për të dhënë të gjithë panoramën e situatës nga pikëpamja e qëllimit dhe atë që përfaqësojnë këta persona të cilët kanë tentuar jo sipas rregullave dhe ligjit që duhet të ndiqnin si procedurë”.

Ai u shpreh se “ka sot në botë shumë turistë aventurierë që e kanë si qëllim këtë lloj turizmi për të fotografuar objekte me karakter të veçantë dhe grupi objekteve me karakter të veçantë në Evropën Lindore, e përbëjnë këto uzina apo objekte të tjera që kanë qenë pjesë e një industrie të që i ka takuar Luftës së Ftohtë. Ndaj do të hetojmë deri në fund për pozicionin e gjithkujt në këtë ngjarje”.

Sipas tij, deri tani nuk ka as vend për spekulime për këtë gjë edhe për ngjarje të ngjashme.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me qëndrime si Policia dhe Prokuroria për të ndarë dëshirën për të bërë turizëm aventuresk me një tentativë për të dhënë informacione që mund të kërkohen nga shërbime të ndryshme të huaja. Pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk përbën një sekret shtetëror prapë ne po hetojmë qëllimin e këtyre njerëzve, të cilët kanë ushtruar agresion dhe dhunë ndaj personave që kanë detyrë ruajtjen e këtij objekti”, tha Çuçi.

ATA