Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar caktimin e Ditës së Alfabetit si festë zyrtarë në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet në ligjin "Për festat zyrtare e ditët përkujtimore", u miratuan me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, duke përcaktuar 22 Nëntorin në kalendarin e festave kombëtare.
Ndryshimet ligjore për 22 Nëntorin do të hyjnë në fuqi pas dekretimit nga presidenti Bajram Begaj dhe 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
Në fillim të këtij viti, Qeveria e Shqipërisë propozoi shtimin e Ditës së Alfabetit Shqip, në kalendarin e festave kombëtare.
Gjithashtu, në seancën e sotme u miratuan edhe ndryshimet në ligjin "Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë". Ndryshimet në fjalë kanë për qëllim rikthimin e kategorisë së basteve sportive onlajn dhe formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori duke licensuar subjekte me eksperiencë.
Projektligjet u votuan në mes të tensioneve dhe rrëmujës së krijuar, ndërsa seanca zgjati rreth 16 minuta, duke u mbyllur nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Sërish tensione në seancë
Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë kanë vazhduar edhe në seancën e sotme dhe nuk u zhvilluan diskutimet për projektligjet në rendin e ditës.
Deputetët e opozitës nga Partia Demokratike (PD) dhe jashtë grupeve parlamentare kanë penguar diskutimet për projektligjet, duke qëndruar në këmbë, duke përdorur zhurmues dhe duke bllokuar foltoren.
Me pankarta në duar me mbishkrimet "Liri-Demokraci", "Vrasës i demokracisë", "Vrasës i pluralizmit" dhe të tjera, deputetët e opozitës kanë qëndruar pranë foltores, duke mos lejuar vazhdimin e diskutimeve në seancën plenare.
Kujtojmë se deputetët e opozitës nga PD-ja dhe jashtë grupeve parlamentare vazhdojnë bllokimin e diskutimeve në seancat parlamentare dhe komisionet parlamentare, sipas tyre për të kërkuar "respektimin e të drejtave të tyre".
Qëndrimet e deputetëve të opozitës në seancat e fundit parlamentare janë në vazhdën e tensioneve në Kuvend që në fund të vitit 2023. Seancat e Kuvendit të Shqipërisë në muajit e fundit të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti u përfshinë nga tensionet pasi sipas deputetëve të opozitës nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen në Kuvend nismat dhe kërkesat e tyre.