Dokumentari për Bekim Fehmiun, në “Sarajevo Film Festival’’ / Photo: ATA

Dokumentari “Bekim Fehmiu”, me regji të Valmir Tertinit dhe produksion të shtëpisë kinematografike “CINEMANIA”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mban premierën boshnjake, jashtë konkurrimit në “Sarajevo Film Festival”.

Dokumentari vjen me dy intervista ekskluzive të bashkëshortes së Bekim Fehmiut, Branka Petriç-Fehmiu, si dhe kujtime dhe rrëfime që tregojnë anë të tjera të artistit.

Me premierën e tij në Tiranë dhe Kosovë, filmi dokumentar për aktorin Fehmiu është shfaqur edhe në disa shtete të tjera ku janë realizuar dhe xhirimet e tij.

Bekim Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë, një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike e më gjerë.

Ai mbetet ndër figurat më të dalluara të kinematografisë shqiptare.

Në konkurim zyrtar për çmimin “Zemra e Sarajevës”, janë filmat e autorëve shqiptarë nga Kosova, “Rrugës”, metrazh i shkurtër nga Samir Karahoda dhe dokumentari me metrazh të shkurtër «Si e Verdhë e Sëmurë» nga Norika Sefa, të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë u uroi suksese autorëve shqiptarë pjesëmarrës në “Sarajevo Film Festival”.

ATA