Edi Rama nis vizitën në Londër, fokusi te ekonomia dhe migrimi / Foto: Facebook - Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nisi sot vizitën zyrtare në Londër me një takim të organizuar në prestigjiozen “London School of Economics”.

Gjatë këtij takimi, Rama shoqërohej nga ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Kryeministri informoi në një postim në rrjetet sociale se temë e bisedimeve është krijimi i një “taskforce” të përbashkët për të drejtat e punonjësve, kontratat e përbashkëta të punës, arsimin profesional dhe politikat rreth emigrimit.

Sipas agjendës së publikuar në medie, kryeministri Rama pritet të takohet pasditen e sotme me homologun e tij britanik, Rishi Sunak.

Po ashtu, në kuadër të kësaj vizite, Rama do të takohet me komunitetin shqiptar në Londër, me përfaqësues të biznesit, si dhe me kryetarin e Dhomës së Komunëve, Lindsay Hoyle.

ATA