Fillon zbatimi i marrëveshjes Shqipëri-BM për transferimin e të burgosurve /  Foto: ATA

Ministria e Drejtësisë në Shqipëri bën të ditur se do të nisë zbatimi i marrëveshjes mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë në lidhje me transferimin e të burgosurve shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar.

Në njoftimin zyrtar, Ministria e Drejtësisë deklaron se 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uellsit që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.

Falë marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve përgjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.

“Ndërkohë që u japim mundësinë të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar”, thuhet në njoftimin për mediet.

Zbatimi i marrëveshjes hyn në fuqi pas nënshkrimit nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor 2022 si dhe pas diskutimeve që dy liderët zhvilluan në Londër në mars 2023.


TRT Balkan / agjencitë