Nxënësit e shkollave të mesme në Shqipëri nga ky vit akademik mund të zgjedhin që maturës së detyrueshme shtetërore për gjuhë të huaj t’i nënshtrohen për lëndën e gjuhës turke. Udhëzimi i publikuar këtë javë nga Ministria e Arsimit parashikon që për provimin në gjuhë të huaj, nxënësit mund të zgjedhin mes gjashtë gjuhëve, në mesin e të cilëve është edhe turqishtja.
“Lista e gjuhëve të huaja, që jepen si provim i detyruar (D3) është: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht dhe turqisht”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.
Më 1 qershor të këtij viti, kur mbahet matura shtetërore për gjuhë të huaj, do të jetë hera e parë që nxënësit shqiptarë i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore edhe në gjuhën turke.
Mësimi i turqishtes, marrëveshja mes Tiranës dhe Ankarasë
Mësimi i turqishtes si lëndë zgjedhore në shkollat e Shqipërisë është rezultat i një marrëveshjeje më të gjerë në fushën e arsimit mes Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe të Qeverisë së Türkiyes.
Kjo marrëveshje, e arritur në vitin 2021, parashikonte që Shqipëria të vlerësojë kërkesat për mësimin e gjuhës turke dhe në bazë të atij vlerësimi të fillojë programin për mësimin e turqishtes si lëndë me zgjedhje të lirë.
“Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor. Pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke”, thuhet në marrëveshjen dypalëshe.
Marrëveshja përcakton gjithashtu angazhimin e palëve për të siguruar kuota për shkëmbimin e studiuesve dhe studentëve në seminaret dhe kurset verore për gjuhën dhe kulturën e njëra-tjetrës.
Shqipëria dhe Türkiye kanë thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin viteve të fundit, nën qeverisjen e Edi Ramës në Shqipëri dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan në Türkiye. Përveç arsimit, ky bashkëpunim ka rezultuar me hapa konkretë në fushën e investimeve, ekonomisë, mbrojtjes dhe të tjera.