Özer kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua më 30 gusht në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".
Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur pro lejimit të ekstradimit në Türkiye të themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, ndërsa vendimi mund të apelohet.
Duke lexuar vendimin në fund të seancës së sotme ku Özer nuk ishte i pranishëm, gjyqtari i çështjes, Elis Dine, tha se gjykata vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Elbasanit për lejimin e ekstradimit në Türkiye të shtetasit turk Özer.
"Në përfundim të gjykimit të kësaj çështjeje gjykata vendosi pranimin e kërkesës dhe lejimin e ekstradimit nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Türkiyes, të shtetasit turk Faruk Fatih Özer. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Durrës, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit", tha Dine.
Kujtojmë se Prokuroria e Elbasanit kishte depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk Özer.
Aktualisht, Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë zhvillohet procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.
Çështja ndaj Faruk Fatih Özer
Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".
Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mosqasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe pasi pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.
Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.
Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.
Gjithashtu, ndaj Özer më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.