Kryeministri Edi Rama mirëpriti sot në një takim në Sallën e Hartave ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, anëtare e kabinetit të Presidentit Joe Biden.
Kryeministri Rama vlerësoi vizitën e ambasadores Linda Thomas-Greenfield si një moment të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit në Këshillin e Sigurimit.
“Jam shumë, shumë i nderuar, të gjithë jemi shumë të nderuar dhe e vlerësojmë shumë bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, por edhe faktin që, gjatë gjithë kësaj kohe, jemi vlerësuar për atë çka është reale, jo si partnerë rishtarë dhe jam i sigurt që ky është rezultat edhe i cilësisë së lartë të ambasadorit tonë në Nju Jork dhe ekipit tonë të shkëlqyer atje, si edhe falë gatishmërisë dhe prirjes suaj për t’u siguruar që ne të jemi një vlerë e shtuar”, deklaroi Edi Rama.
Nga ana e saj ambasadorja Linda Thomas-Greenfield përshëndeti partneritetin dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar.
“Jam këtu për t’ju falënderuar! Për të falënderuar qytetarët shqiptarë, për partneritetin tuaj të jashtëzakonshëm, për miqësinë tuaj për të nderuar 100-vjetorin e marrëdhënieve tona përgjatë uljeve dhe ngritjeve dhe sigurisht kjo është një kohë në ngritje për të sjellë një mesash të fortë mbështetjeje nga populli amerikan”, tha ambasadorja Linda Thomas-Greenfield.
Ajo më tutje tregoi se ka pasur përvojën që të punoj në Këshillin e Sigurimit me ambasadorin Hoxha dhe ai ka qenë një partner i jashtëzakonshëm dhe një fqinj i jashtëzakonshëm në Këshill.
“Ne kemi qenë në të njëjtin mendim dhe në atë Këshill në momentin që ulemi të 15 në ato karrige, të gjithë jemi të barabartë, zërat tanë janë të barabartë dhe zëri juaj në këshill ka qenë tejet i fortë, tejet i respektuar dhe kemi ndarë të njëjtën mendësi dhe kjo ka qenë një nga marrëdhëniet më të rëndësishme që kam pasur mes 10 anëtarëve të zgjedhur të Këshillit”, shtoi ajo.
Ambasadorja amerikane ka realizuar takim edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, ajo do të marrë pjesë edhe në aktivitetin me temë "Gratë, paqja dhe siguria", organizuar nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.