Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka deklaruar se përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian (BE) përfaqësojnë një synim të madh kombëtar.
Komisioni për Çështjet Evropiane në Kuvendin e Shqipërisë zhvilloi një seancë dëgjimore me ministrin Hasani, me fokus procesin e negociatave Shqipëri-BE dhe projektbuxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025.
Në lidhje me hapjen e negociatave për grupkapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Hasani tha se ky ishte një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, sipas tij, duke dërguar një mesazh të qartë se janë të gatshëm të përmbushin standardet e Bashkimit Evropian dhe të kontribuojnë në stabilitetin dhe paqen në rajon.
"Viti 2024 ka shënuar arritje të rëndësishme për politikën e jashtme shqiptare duke përfshirë jo vetëm hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, rritjen e angazhimeve në organizatat ndërkombëtare dhe forumet shumëpalëshe, mbrojtjes e interesave të shqiptarëve kudo në botë dhe konsolidimin e imazhit të vendit si faktor stabiliteti rajonal", tha Hasani.
Ai tha se përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE përfaqësojnë një synim të madh kombëtar dhe sipas tij anëtarësimi në BE është jo vetëm një mundësi për zhvillimin ekonomik, por një proces transformues që përmirëson institucionet dhe jetën e çdo qytetari shqiptar.
"Ky proces ka përfshirë breza të tërë dhe përfaqëson aspiratat e çdo shqiptari për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Qeveria shqiptare është e përkushtuar të ndjekë këtë rrugë me vendosmëri duke theksuar se ‘Evropa e Bashkuar është busulla jonë dhe familja natyrale, të cilës i përkasim, por ku ende mungojmë’", tha Hasani.
Ministri Hasani u shpreh se kanë një plan të qartë dhe të strukturuar për arritjen e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, një synim sipas tij që mbështetet nga Komisioni Evropian për mbylljen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Ne jemi të vendosur ta shndërrojmë Shqipërinë në një model të transformimit dhe integrimit, duke hapur grupkapituj të rinj negociatash, me synimin për ta përmbyllur këtë hapje të grupkapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm", theksoi Hasani.
Hasani theksoi se për vitin 2025 Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hartuar një projektbuxhet ambicioz dhe shtoi se buxheti do të financojë një sërë iniciativash kyç.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Më 15 tetor të 2024 u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grupkapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.