Ibrahimaj: Shqipëria me rritjen më të lartë ekonomike në rajon.     Foto: Delina Ibrahimaj/Facebook

Ekonomia shqiptare u rrit me 4.23 % në periudhën 9-mujore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur sot se pritshmëritë janë që ekonomia përgjatë të gjithë vitit të shënojë rritje me 3.7 %.

Në konferencën për shtyp mbi zhvillimet e ekonomisë përgjatë këtij viti, Ibrahimaj theksoi se edhe konsumi i popullatës dhe kredia konsumatore shënuan rritje që tregojnë për besim në ekonomi.

“Në tërësi gjatë këtij viti, pavarësisht krizës ekonomike globale, ekonomia ka shënuar ecuri pozitive. Shifrat më të fundit të INSTAT-it tregojnë se ekonomia u rrit me 4.02 % një tremujorin e tretë, ndërsa për periudhën 9-mujore llogaritet 4.23%. Ne u qëndrojmë parashikimeve tona për një rritje të ekonomisë me 3.7 % përgjatë gjithë vitit”, tha Ibrahimaj.

Sa i përket krahasueshmërisë me vendet e rajonit, rritja ekonomike në Shqipëri ishte më e larta. Në Kosovë rritja ekonomike ishte 2.7 %, Maqedonia e Veriut me 2 %, Mali i Zi me 2.8 % dhe Serbia me 1 %.

Duke iu referuar sektorëve, ministrja tha se rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët.

“Me rritje ka rezultuar sektori i bujqësisë, ndërtimi shënoi rritje me 10.66 % duke dhënë një kontribut në rritje prej 0.99%. Tregtia e transportit dhe akomodimi ushqimor ka rezultuar me rritje dhe me kontribut 1.94 % në rritje. Kjo ecuri është ndikuar nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor me një rritje prej 25 %. Edhe tregtia me shumicë ka pasur ecuri pozitive”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas ministres, sektori i industrisë ka shënuar rënie, ndikuar nga industria nxjerrëse.

ATA