Igli Hasani: 75-vjetori i NATO-s, ngjarje historike për Aleancën / Photo: ATA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në një videomesazh nga Brukseli për 75-vjetorin e krijimit të NATO-s shprehu rëndësinë e vitit 2024 për Aleancën.

“Më 4 prill, Aleanca jonë feston 75-vjetorin e saj. Ky vit paraqet një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi mbushen 15 vjet nga anëtarësimi i vendit tonë në Aleancë, në vitin 2009.” tha Hasani, duke theksuar se këto 75 vjet janë një tregues i fuqisë dhe qëndrueshmërisë së NATO-s.

Gjatë videomesazhit ministri nënvizoi se NATO-ja ka garantuar siguri të padiskutueshme për të gjithë aleatët e saj dhe se është e gatshme të qëndrojë e palëkundur edhe për dekadat e tjera pasuese.

Ndërkaq, duke iu referuar luftës Rusi-Ukrainë, Hasani tha se rëndësia e NATO-s nuk ka qenë kurrë më e theksuar sa sot.

Përsa i përket Shqipërisë, ministri u shpreh se data 1 prill 2009 ka një rëndësi të veçantë në historinë e vendit tonë me një aspirim drejt krijimit të një shteti modern.

“Anëtarësimi në NATO për ne nuk ishte thjesht për të përfituar siguri; ishte gjithashtu për rrënjosjen e vendit tonë mes familjes demokratike, perëndimore të kombeve”, shtoi ai.

“Në vitet që pasuan, ne kemi bërë maksimumin për të kontribuar në Aleancë, duke luajtur një rol të rëndësishëm, proaktiv në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë dhe duke kontribuar në misione dhe operacione në gjithë globin”, theksoi më tej Hasani.

Ministri e përfundoi videomesazhin e tij duke treguar gaditshmëri për kontributin e vendit për Aleancën po me të njëjtin përkushtim dhe entuziasëm si nga dita e parë.

ATA