Në raportin e publikuar nga INSTAT-i mbi treguesit demografikë konstatohet një ulje e ndjeshme të lindjeve për sa i përket tremujorit të parë 2024.
Numri i lindjeve gjatë tre muajve të parë është 5056, duke shënuar një rënie me 6,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023, ndërsa numri i vdekjeve është 5.537, duke shënuar një rënie prej 5,2 %, krahasuar me tremujorin e parë 2023.
Sipas raportit mbi treguesit demografikë, shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2024 regjistron 481 vdekje më shumë se sa lindje.
Të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve gjatë muajve janar-shkurt-mars 2024, në krahasim me tremujorin e parë 2023.
Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është shënuar në Tiranë me 1929 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje, raporton INSTAT.
Rënien më të vogël në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2024, krahasuar me tremujorin e parë 2023 e ka qarku i Elbasanit me 2 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 21,1 %.
Në vitin 2023, shtesa natyrore e popullsisë paraqitej me 2331 lindje më shumë sesa vdekje, duke rezultuar pozitive krahasuar me vitin 2022, i cili regjistronte 690 lindje më shumë sesa vdekje.
Në vitin 2023 u regjistruan 23.617 foshnja, duke pësuar një rënie me 4,3 % me një vit më parë, ndërsa numri i vdekjeve ishte 21.286 persona, duke shënuar një rënie me 11,3 %, krahasuar me një vit më parë.
Tirana konstatonte qarku kryesues me shtesën natyrore më të lartë, me 3.548 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët ishte Korça, me 760 vdekje më shumë sesa lindje.