Vizita e Presidentit të Izraelit Isaac Herzog me 12 shtator, në mes të ofensivës brutale në Gaza theksoi edhe një herë raportet e afërta me shtetin shqiptar.
Këtë vizitë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë një eventi të organizuar nga organizatat hebreje, në vizitën e tij në ShBA më 28 shtator, e cilësoi si një ngjarje historike të vonuar duke thënë se “Shumë vonë për një ngjarje të tillë historike, por pikërisht në kohën e duhur po të mendojmë kontekstin historik të betejës me të cilën përballet sot kombi dhe shteti hebre, i cili lufton jo vetëm për të drejtën e tij të vetëmbrojtjes nga një formë e re e mbrapshtë nazizmi.”
Rama tha gjithashtu se Shqipëria dhe Izraeli janë dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm, ndërsa shprehu bindjen se “kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë”.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama pas takimit, presidenti i Izraelit Herzog tha se “për mua është shumë domethënëse të jem mes miqsh në këtë kohë kaq të dhimbshme për Izraelin. Po i afrohemi një viti qysh kur Hamasi sulmoi në mënyrë brutale Izraelin, një vit kur mijëra terroristë ndërhynë në vendin tonë, vranë egërsisht mijëra dhe rrëmbyen qindra izraelitë dhe shtetas të huaj në Gaza. Qysh prej asaj ditë errët në tetor Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur, është radhitur në anën e duhur të historisë”.
“Shqipëria dhe Izraeli janë vende mike që ndajnë momente historike unike, të cilat na bashkojnë përgjithmonë”, deklaroi presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj gjatë vizitës zyrtare të homologut të tij izraelit në Tiranë, teksa rikonfirmoi qëndrimin e shtetit shqiptar.
Ky intensifikim mes dy shteteve është theksuar edhe nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, e cila në një takim me ambasadoren e Izraelit Galit Peleg në Kryesinë e Kuvendit e quan Shqipërinë një lider rajonal në luftën kundër antisemitizmit, që kontribuon për një botë më të sigurt dhe paqësore.
Ndërkaq, përpos relatave diplomatike, ajo që ka vulosur marrëdhëniet e suksesshme mes dy vendeve ka qenë tregtia.
Statistikat e Instituti Kombëtar i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), raportojnë se eksportet mes dy vendeve gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti janë rritur ndjeshëm.
Shifrat i ka bërë të ditura Ambasada e Izraelit në Shqipëri, përmes postimeve në platformën “LinkedIn” nga Klajd Heta, kreu i Departamentit të Ekonomisë në Ambasadë.
Sipas këtyre të dhënave zyrtare të publikuara, në gusht të vitit 2024 është shënuar një rritje prej 389 për qind në vlerën e eksporteve izraelite drejt Shqipërisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Eksoportet e makinerive dhe pajisjeve mekanike nga Izraeli në Shqipëri kanë parë 13,831 për qind rritje në vlerë, krahasuar me qershorin e 2023.
Vetëm në muajin korrik 2024 eksportet e Izraelit në Shqipëri kanë pësuar 160 për qind rritje krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Ndërsa, për periudhën janar-prill 2024, vlera totale e eksportuar (në USD) e mallrave dhe produkteve nga Izraeli është rritur me +64 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Bazuar në statistika, produktet më të eksportuara kanë qenë; hekuri dhe çeliku, plehra kimike, alumini dhe produktet e tij.
Ndërkaq, në muajt e parë lëndët djegëse dhe vajrat minerale kanë kryesuar listën si produktet më të eksportuara në Shqipëri, ndjekur nga instrumentet optike, si periskopët, mikroskopët, teleskopët dhe kamerat. Në listë një produkt mjaft i eksportuar ka qenë edhe plastika.
Përveç kësaj, Izraeli tani po eksporton në Shqipëri produkte që nuk i ka eksportuar shumë në të kaluarën, si sheqer dhe ëmbëlsira, perla natyrale, gurë të çmuar, bizhuteri dhe mjete transporti (përjashtuar vagonët hekurudhorë).
Po ashtu, rritje është shënuar edhe në turizëm.
Në muajin gusht shifrat e turizmit të shtetasve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë, me hyrje tokësore janë rritur me 20%, krahasuar me muajin korrik.
Ndërsa krahasuar me gushtin e 2023, ka pasur një rritje me 4% e shtetasve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë nëpërmjet hyrjeve detare.
Shqipëria furnizon me naftë Izraelin
Në një raport të publikuar nga Oil Change International tregohet se Shqipëria i është bashkuar listës së vendeve furnizuese me naftë në Izrael gjatë luftës së tij në Gaza.
Sipas raportit Shqipëria ka dërguar sasi të mëdha të naftës bruto dhe të produkteve të rafinuara drejt Izraelit që nga fillimi i ofensivës së ashpër në Gaza.
Megjithatë, ky pozicionim mund t’i shkaktojë Shqipërisë dëme të konsiderueshme ligjore pasi sipas disa studiuesve juridikë, këto kompani dhe vende mund të konsiderohen si bashkëpunëtorë në gjenocid, bazuar në Konventën e Gjenocidit.
Bashkëpunimi nuk ndalet vetëm me tregtinë
Promovimi i kulturës izraelite në Shqipëri ka rënë në sy që nga fillimi i ofensivës në Gaza, veçanërisht me organizimin e javës kulturore izraelite nga Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit.
Aktivitetet përfshinin koncerte, muzikë dhe ngjarje të tjera kulturore, të cilat hasën reagime të shumta. Një grup aktivistësh, së bashku me qindra qytetarë, ngritën një peticion kundër zhvillimit të javës kulturore izraelite, duke kundërshtuar mbajtjen e saj në një kohë kur Izraeli po kryen ofensivë në Gaza.
Aktivistët i dërguan MEKI-t një letër të hapur me firma të mbledhura, duke kërkuar pezullimin e kësaj jave të përkufizuar nga vetë aktivistët si “Java gjenocidale”.
Megjithatë, nga ministria nuk pati asnjë përgjigje në lidhje me këtë çështje, ndërsa java kulturore u realizua në ambientet dhe hapësirat publike të bashkisë së Tiranës.
Mbi 30 vjet marrëdhënie diplomatike
Marrëdhëniet diplomatike midis Izraelit dhe Shqipërisë u vendosën në prill 1949, menjëherë pasi më 14 maj 1948 në një muze të Tel Aviv u shpall themelimi i shtetit te Izraelit. Pas një ndërprerjeje prej katër dekadash si rrjedhojë e regjimit komunist, marrëdhëniet mes dy vendeve u rivendosën në gusht 1991. Shqipëria hapi ambasadën në Tel Aviv në 1998, ndërsa Izraeli përuroi ambasadën në Tiranë në 2012.
Këto marrëdhënie janë të bazuara mbi historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur populli shqiptar strehoi dhe shpëtoi rreth 200 hebrenj vendas dhe mbi 2.000 të tjerë që erdhën nga vende të ndryshme të Evropës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë ku numri i hebrenjve u rrit. Ky fakt ka krijuar një lidhje të veçantë historike mes dy vendeve.
Shqipëria gjithashtu është anëtare e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) dhe në tetor 2020 miratoi një rezolutë për antisemitizmin, duke organizuar gjithashtu Forumin e Parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit.
Ndërtimi i muzeve të holokaustit, nderimi i ambasadorëve të Izraelit, bashkëpunimet në teknologji dhe inovacion dhe nxitja e turizmit ndër vite po ashtu kanë shënjuar marrëdhëniet dinamike mes vendeve.
Ndërsa sot, marrëdhëniet dhe bashkëpunimet janë thelluar në ekonomi, kulturë, bujqësi dhe siguri kibernetike.