Seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë ka filluar me fjalime të ashpra të deputetëve opozitarë si pasojë e shmangies së kërkesës së tyre që seanca plenare të nisë me mocion dhe debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen e zyrtarit të FBI-së, McGonigal.
Kryeministri ka deleguar ministren Elisa Spiropali për t'u përgjigjur në emër të tij në këtë interpelancë, por kjo nuk është pritur mirë nga deputetët e opozitës.
Teksa ka vijuar debati në sallën e Kuvendit, ku deputetët demokratë kanë bllokuar foltoren, kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla ka përjashtuar nga seanca plenare deputetin Gazmend Bardhi.
Nga ana e tij, deputeti i PD-së Gazmend Bardhi iu drejtua kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla duke i thënë se ka shkelur rregulloren në seancën e shkuar, duke i mohuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës.
Përveç të tjerash, ai për ministren Elisa Spiropali tha se nuk kanë kërkuar interpelancë me hijet e kryeministrit.
“Në procesverbalin mungon fjala e 54 deputetëve të opozitës. Ju në kundërshtim me rregulloren, vetëm nga frika që kryeministri të përballej me opozitën, i hoqët seancën e shkuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës”, tha Bardhi.
Nga ana tjetër, deputeti i PD-së Luçiano Boçi krahas vërejtjeve ndaj funksionimit të Kuvendit akuzoi edhe kryeministrin Rama për korrupsion, madje edhe me agjentët e FBI-së.
“Është e njëjta mënyrë, e njëjta formë, paksa në miniaturë, nëse Kryeministri paguan agjentët e FBI-së, korrupton ata dhe ky parlament është i korruptuar nga po ai. Është i korruptuar jo me para, jeni korruptuar ju, është korruptuar parlamenti në bazë të kërcënimeve, në bazë të dhunës që ushtrohet në këtë parlament për t’i hequr fjalën opozitës”, u shpreh Boçi.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u kërkoi deputetëve që vërejtjet dhe kërkesat e tyre të depozitohen me shkrim duke theksuar se nëse ata, kanë ardhur me mendimin për të bllokuar seancën, kjo nuk do të ndodhë.
“Rregullorja e përcakton qartë. Interpelanca është futur në pikën e parë të rendit të ditës. Ndaj të mos mbajmë ligjërime sikur medemek po respektojmë rregulloren”, u shpreh Nikolla.
Në fjalën e saj, deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se javën e kaluar në mënyrë antikushtetuese, iu hoq fjalë e gjysmës së këtij parlamenti për të diskutuar për akte të rëndësishme.
“Nuk mundet që parlamenti kur roli i tij kërkohet të forcohet, në momentin kur opozita duhet të përfshihet në procese të rëndësishme, nuk mundet parlamenti të kthehet në një zyrë normale të qeverisë. Keni plot institucione ku mund të debatoni dhe të diskutoni, por të drejtën e fjalës sonë nuk mund të na e hiqni dot”, tha ajo.
Tabaku kërkoi që të zhvillohet seancë me mocion me debat dhe njëherazi të zhvillohet dhe interpelanca e kërkuar nga Bardhi.