Investimet e huaja direkte në Shqipëri vazhdojnë të shënojnë rritje drastike në 3-mujorin e tretë të këtij viti.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se fluksi i investimeve të huaja direkte në 3-mujorin e tretë arriti vlerën e 344 milionë eurove, në rritje me 32 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për 9-mujorin e vitit 2022, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 984 milionë euro, shifër kjo 35 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e investimeve të huaja po mbështetet gjithnjë e më shumë te fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve ekzistuese.
Fitimet e rinvestuara kanë një epërsi të qartë në strukturën e investimeve të huaja për gjithë 9-mujorin.
Në 9 muaj, ndërmarrjet me aksionerë të huaj kanë riinvestuar fitime në vlerën e 532 milionë eurove, ose sa 54 për qind e investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe.
Pesha e lartë e fitimeve të riivestuara është tipike sidomos për sektorët e industrisë nxjerrëse ose të shërbimeve financiare, që kërkojnë flukse të vazhdueshme të investimeve të reja për të mbështetur rritjen e biznesit.