Italia planifikon ta modifikojë dekretin me Shqipërinë për emigrantët             Foto: Reuters

Qeveria italiane pritet ta modifikojë dekretin me Shqipërinë për emigrantët, sipas gazetës italiane ”Corriere della Sera”.

Në kërkim të rikthimit të menjëhershëm të funksionimit të qendrave të Gjadrit dhe Shëngjinit, pavarësisht vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që pritet më 25 shkurt, Italia do ta kërkojë heqjen e juridiksionit të saj mbi strukturat, që është baza e traktatit të nënshkruar me Tiranën.

Pas tri refuzimeve radhazi nga gjykatësit e Imigracionit dhe Gjykata e Apelit për ndalimin e migrantëve, ky është objektivi i qeverisë që ka vendosur ta modifikojë marrëveshjen me Shqipërinë dhe mund ta bëjë këtë edhe me dekret.

Aktualisht po shqyrtohen hipoteza të ndryshme për rifillimin e transferimeve të emigrantëve, por këtë herë me një diskutim më të gjerë, që nuk përfshin vetëm të shpëtuarit në det dhe që vijnë nga vendet e përfshira në listën italiane e të sigurtëve, por edhe ata që ndodhen tashmë në pikat e nxehta dhe qendrat e pritjes në territorin kombëtar.

Kjo u diskutua në një takim, të premten e kaluar, gjatë të cilit u shfaq mundësia që qendrat shqiptare të mund të transformoheshin në CPR, pra dedikuar ekskluzivisht për riatdhesimin e refugjatëve që mendohet se nuk kanë kushtet për të marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Italia, ose në qendra pritjeje. Nuk përjashtohet mundësia që ato të menaxhohen nga Tirana dhe jo më nga Roma.

Në çdo rast, duke pritur për mendimin e gjyqtarëve të Luksemburgut, ekzekutivi përsërit vullnetin e tij për të ecur përpara.

Kjo është arsyeja pse një tjetër takim është planifikuar për sot.

Ndërkohë, opozita e kundërshton ashpër.

“Këmbëngulja është djallëzore, qeveria duhet ta ndalojë këtë çmenduri që po krijon një përplasje të paprecedentë mes pushteteve dhe një humbje burimesh”, shpjegon Simona Bonafè, drejtuese e grupit të Partisë Demokrate në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese.

ATA