Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë / Foto: AA

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, qeveria e Shqipërisë prezantoi nismën “Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe”, e cila promovohet si një sprovë e bukur mes nxënësve që i shërben mbrojtjes e kultivimit të gjuhës shqipe brez pas brezi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpërndau sot në rrjetet sociale promovimin e kësaj nisme nga Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Evis Kushi.

MIRËMËNGJES 😊 dhe në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit sot prezantojmë nismën më të re, "Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe...

Posted by Edi Rama on Monday, January 23, 2023

Ajo foli edhe për rëndësinë e arsimit dhe kontributin e tij për zhvillimin e shoqërisë.

“Arsimi është vlerë, është fuqi, por është edhe mirëqenie. Nëse kërkojmë progres dhe sukses atë nuk mund ta arrijmë pa një arsim cilësor. Nëpërmjet tij një qytetar bëhet më kritik, njeh të drejtat e veta, rrit mundësitë e punësimit dhe përmirëson cilësitë e jetës për veten dhe familjen”, tha në videomesazh, ministrja Kushi.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit është një ditë e përvitshme ndërkombëtare kushtuar arsimit, e cila shënohet më datën 24 janar të çdo viti.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në takimin e saj të mbajtur më 3 dhjetor të vitit 2018, ka shpallur 24 janarin si “Ditë Ndërkombëtare të Arsimit” duke përkujtuar rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global, si dhe duke riafirmuar me këtë rast edhe faktin se “Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi kolektive”.




TRT Balkan / agjencitë