Kryeministri i Luksemburgut vizitë zyrtare në Shqipëri     Foto:  Kryeministria e  Shqiperisë

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama.

Ceremoni zyrtare e pritjes për kryeministrin e Luksemburgut është mbajtur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërsa në përfundim të takimit Rama dhe Bettel mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në disa çështje.

Kryeministri Rama theksoi se Lukesemburgu dhe kryeministri Bettel kanë qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Rama u shpreh se me homologun Bettel ka diskutuar për procesin e negociatave për anëtarësimin në BE, për vijimësinë e procesit të përafrimit politik mes BE-së dhe vendeve që negociojnë për t’u anëtarësuar, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.

"Më vjen jashtëzakonisht mirë që kjo vizitë përkon me një vit të veçantë në historinë e marrëdhënieve tona me Luksemburgut, 100 vjet nga njohja që Luksemburgu i bëri shtetit shqiptar në vitin 1922. Luksemburgu ka një komunitet shqiptar shumë të respektuar dhe kryeministri flet me admirim për shqiptarët që jetojnë në vendin e tij", u shpreh Rama.

Rama tha se Luksemburgu në tryezën e Bashkimit Evropian është një zë i rëndësishëm dhe interesimi për rajonin. "Përpjekja për të nxitur bashkëpunimin rajonal, përpjekja për të nxitur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për të nxitur përmirësimin e klimës në Bosnjë, përpjekja për të nxitur një proces politik sa më stabël në Malin e Zi, janë pjesë e agjendës së interesit të Luksemburgut dhe kryeministrit Xavier Bettel", tha Rama.

Në lidhje me incidentin në një bazë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, ku u arrestuan dy shtetas rusë dhe një ukrainas, Rama tha: "I takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë është ku është qëllimi i vërtetë. Këta persona të cilët për fat të mirë u ndaluan nga rojet që bënë detyrën e tyre, janë persona të dyshuar për spiunazh, kjo është shumë e qartë. Ajo që është e rëndësishme është të gjejmë arsyen e vërtetë dhe për këtë po punojnë grupet hetimore".

"Nuk mund të mbahen vende peng për arsye të politikave kombëtare"

Bettel thekoi se Bashkimi Evropian nuk është vetëm interes politik kombëtar për një bashkim që ka prioritete.

"Kemi hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dua të them që për mua ka shumë gjëra që më motivuan për të mos thënë që do jem avokati i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por thjesht të them që nuk mund të mbahen vende peng për arsye të politikave kombëtare, kjo është gjëja e parë. Nuk mund të vendosim për të ardhmen e një vendi për arsye kombëtare", tha ai.

Bettel foli dhe në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, ku theksoi se dhunimi i territorit dhe sovranitetit nuk mund të vihet në pikëpyetje e në diskutim.

"Zona e Ballkanit ka qenë një fuçi baruti për kontinentin tonë dhe duhet ta shmangim dhe duhet të bëjmë gjithçka që ta shmangim. Qoftë ‘Open Balkan’, kur ne flasim me njëri-tjetrin, e di që Kosova dhe Serbia po diskutojnë sot. Është e rëndësishme të bëjmë përpara. Nuk mund të lejojmë konflikte shtesë, nuk mund t’ia lejojmë vetes presione shtesë", tha Bettel.

AA