Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë është zhvilluar interpelanca me ministren e Turizmit dhe të Mjedisit, Mirela Kumbaro, mbi ndryshimet ligjore në ligjin “Për zonat e mbrojtura”.
Interpelanca u kërkua nga deputetja e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Ina Zhupa, sipas saj për pasojat dhe të mirat që do të sjellin ndryshimet në fjalë.
Në fjalën e saj në seancë, ministrja Kumbaro u shpreh se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura zgjidhin problemet në territor dhe garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm, ndërkohë ajo shtoi se si qeveri kanë si qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit.
Ajo tha se ndryshimet në fjalë synojnë të garantojnë një ekuilibër mes zhvillimit të komuniteteve në zona me potencial turistik, duke mbrojtur sipas saj natyrën dhe biodiversitetin.
"Si ministre ndodhem në gjysmën e kohës në terren dhe jam në komunikim edhe me komunitetet. Na rezulton se shpeshherë realiteti në terren nuk përputhet gjithmonë me atë që kemi në rregullore dhe aktet ligjore", theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi se qëllimi i maxhorancës qeverisëse është që të mbrojë mjedisin dhe të zhvillojë turizmin.
Deputetja Zhupa në fjalën e saj u shpreh se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura e transformojnë zonën e mbrojtur në një zonë praktikisht të pambrojtur, ku sipas saj ndërtimi është aktiviteti i sugjeruar.
Ndryshimet ligjore në ligjin “Për zonat e mbrojtura” u miratuan nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024, ndryshime të cilat kanë shkaktuar reagime në vend të organizatave dhe partive politike të opozitës, pasi sipas tyre dëmtojnë dhe shkatërrojnë zonat e mbrojtura në vend.
Sipas autoriteteve shqiptare, qëllimi i ndryshimeve në fjalë është evidentimi i politikave të reja që duhet të zbatohen në zonat e mbrojtura si rezultat i realiteteve të reja dhe i nevojës për një zhvillim të qëndrueshëm.
Seanca parlamentare vazhdoi me diskutime edhe mbi disa projektligje.