Kuvendi i Shqipërisë e miratoi Rezolutën kundër Raportit të Dick Marty-t

Kuvendi i Shqipërisë e miratoi Rezolutën kundër Raportit të Dick Marty-t

Kjo rezolutë sipas kreut të Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama synon të lëviz Këshillin e Evropës
Kuvendi i Shqipërisë e miratoi Rezolutën kundër Raportit të Dick Marty-t    Foto: AA

Kuvendi i Shqipërisë, mbrëmë vonë me 125 vota "për" dhe asnjë kundër e miratoi Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialsite, Taulant Balla u shpreh pas votimit se “e fituam betejën e parë për të siguruar një qëndrim të bashkuar dhe unanim të Kuvendit të Shqipërisë". Ai shprehi mirënjohje për çdo deputet pa dallim të krahëve politikë për mbështetjen dhe përgjegjshmërinë atdhetare që treguan me këtë votim historik. “Tashmë kalojmë në fazën tjetër shumë, shumë më e vështirë. Beteja jonë shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku do të kërkojmë një raport vijues (Follow up Report) dhe më pas ndryshimin e Rezolutës 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, theksoi Balla. Gjatë fjalës në seancë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se duhet t'i thonë asamblesë së përgjithshme (Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) që "rrëzoje këtë raport tani". "Jo sepse themi ne, por sepse e treguan të gjitha hetimet që ky raport është i pabazë. Me këtë duhet të merremi ne nëse vërtetë duam të merremi me mbrojtjen e krenarisë kombëtare dhe dinjitetit kombëtar", u shpreh Rama. Rama tha më tej se të gjithë së bashku duhet të flisnim për këtë dhe duhet të merreshim me këtë sepse është e qartë që kjo nuk është një rezolutë e zakonshme "Është rezolutë ndryshe nga të tjerat sepse është fillimi i një rrugë që do shkojë në Strasburg. Kjo rezolutë synon të lëvizë Këshillin e Evropës", theksoi Rama. Duke iu drejtuar deputetëve të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Rama tha se “Zanafilla e raportit të Dick Marty është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës. Këto shikoni ju sepse thikat që ju keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK-në si terrorist, e si marksist-leninist, e dreqi me të birin deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë, ju as nuk i shlyeni dot, as nuk i zhbëni dot, as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotet e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës dhe kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrembër nuk drejtohet".

TRT Balkan / agjencitë