Në auditorët e universiteteve në Shqipëri ulen për herë të parë rreth 20 mijë studentë.
Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, ka uruar sot studentët dhe stafin akademik në nisjen e vitit të ri akademik.
Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha se janë mbi 20 mijë studentë që për herë të parë ulen sot në auditorë të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri.
“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha në urimin e saj Manastirliu.
Studentët iu bashkuan urimit të ministres Manastirliu duke vënë theksin të mundësitë që ofrojnë universitetet tona, me ofertën akademike për tregun e punës.