Shqipëria dhe Kina më 17 janar njoftuan marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave mes dy vendeve. Ky është zhvillim i rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike, ndërsa Shqipëria bëhet vetëm vendi i katërt evropian që heq vizat për kinezët, bashkë me Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë e Bjellorusinë.
Por, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës kanë një bazë shumë më të thellë historike, të karakterizuar me ngritje-rënie gjatë periudhave të ndryshme.
Shumë historianë dhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare u kanë kushtuar rëndësi të veçantë marrëdhënieve unike mes shtetit të vogël evropian dhe gjigantëve aziatikë.
“Miqësia shqiptaro-kineze” e lidhur mes Enver Hoxhës dhe Mao Zedong
Shqipëria e njohu Republikën Popullore të Kinës dhe vendosi marrëdhënie me të menjëherë pas shpalljes si republikë në vitin 1949, por marrëdhëniet u konkretizuan në vitin 1954. Përafrimi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve filloi nga vizita e udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, në kongresin e Partisë Komuniste të Kinës, në vitin 1956.
Në fund të viteve të 50-ta dhe fillim të viteve të 60-ta të shekullit XX, Shqipëria dhe Kina prishin marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos dhe Bashkimin Sovjetik, duke gjykuar politikat revizioniste të tyre. Kjo e çon Shqipërinë të afrohet shumë më tepër me Kinën, në një aleancë mes dy vendeve komuniste që shihej e dobishme nga të dyja palët.
Në fillim të viteve të 60-ta, kryeministri kinez Zhou Enlai vizitoi Shqipërinë, ndërsa më vonë kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu vizitoi Kinën duke nënshkruar disa deklarata që hodhën bazat për miqësinë e përbashkët.
Gjatë këtyre viteve, Kina ndihmoi financiarisht Shqipërinë, ndërsa miqësia mes dy vendeve komuniste u propagandua si për përdorim të brendshëm ashtu edhe jashtë. Kina pretendon se ka ndihmuar Shqipërinë me 12 miliardë dollarë gjatë kësaj periudhe, ndërsa të dhënat në Shqipëri flasin për rreth 5 miliardë dollarë.
Sipas disa shkresave, Kina ka ndihmuar Shqipërinë me drithëra, çelik, mjete bujqësore, hidrocentrale dhe ndihma ushtarake. Sidoqoftë, kjo miqësi nuk ka qenë pa benefit edhe për Pekinin, pasi Shqipëria ishte e pasur me krom.
Por, pas vdekjes së udhëheqësit kinez Mao Zedong (1976), Kina ndaloi ndihmat për Shqipërinë dhe marrëdhëniet mes të dy vendeve u përkeqësuan. Enver Hoxha filloi të akuzojë Kinën për afrim me fuqitë imperialiste dhe gradualisht marrëdhëniet mes Tiranës dhe Pekinit zbehen deri në prishje.
Megjithatë, ndikimi kulturor i kësaj miqësie ka lënë gjurmë në të dyja vendet.
Tashmë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe e orientuar drejt Perëndimit, por mban raporte korrekte diplomatike me Pekinin, për çka dëshmon edhe marrëveshja e fundit për heqjen e vizave.