Asnjëri nga tri grupet e emigrantëve të sjellë në qendrën e azilkërkimit në Lezhë pas marrëveshjes së emigrantëve Shqipëri - Itali, nuk ka arritur të qëndrojë në Shqipëri.
Edhe grupi më i fundit i emigrantëve të paligjshëm që mbërriti disa ditë më parë në Shqipëri u kthye në Itali, pas ndërhyrjes së një gjykate italiane.
Emigrantët janë transportuar me autobusë nga ambientet e kampit në Gjadër drejt portit të Shëngjinit, për t’u nisur më tej drejt Italisë. Kronologjia
Tentativa e parë u krye në tetor të vitit të kaluar, me një grup prej 12 emigrantësh, për të cilët gjykata e Romës vendosi t’i kthejë, pasi vendet e tyre të origjinës konsideroheshin të pasigurta.
Ndërkaq, në nëntor të 2024, vetëm pak javë pas grupit të parë, edhe ekipi i dytë prej 8 emigrantësh nga Egjipti dhe Bangladeshi, sërish nuk u lejua të qëndrojë në kampin e Gjadrit. Kësaj here çështja u referua në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Si një tentativë për ta bërë marrëveshjen funksionale, qeveria e Giorgia Melonit, miraton një dekret, duke hequr nga lista e vendeve që konsideroheshin të sigurta: Kamerun, Kolumbi dhe Nigeri.
Kësaj here, mes vëmendjes masive mediatike të kësaj çështje, pati edhe një reagim nga miliarderi Elon Musk, i cili u pozicionua në krah të Giorgia Melonit duke thënë se “Gjyqtarët italianë duhet të ikin”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nga ana tjetër ka vendosur të qëndrojë i distancuar nga “përballjet” e Melonit me opozitën dhe institucionet italiane të drejtësisë, duke u shprehur se kjo është një çështje që i përket Italisë, e se Shqipëria e ka kryer detyrën e saj me hapjen e kampeve.
Pas tentativës së tretë pa sukses të këtij fillimviti, nuk dihet nëse do të ketë një grup tjetër azilkërkuesish deri në 25 shkurt, kur pritet edhe vendimi i Gjykatës Evropiane që do të shprehet përfundimisht në lidhje me çështjen e vendeve të sigurta.