Mbahet konferenca “Turizmi në Evropën Qendrore dhe Juglindore” në Shqipëri / Photo: AA

Në Shqipëri është zhvilluar konferenca ndërkombëtare me temë: "Turizmi në Evropën Qendrore dhe Juglindore – Rrugë të reja zhvillimi" me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, organizatave dhe ekspertëve.

Konferenca është organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Në fokus të konferencës ishin diskutimet mbi sfidat në promovimin e destinacioneve turistike, zgjerimi i konceptit të paketave turistike dhe çështje të tjera.

Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj u shpreh se turizmi është eksperiencë.

"Shqipëria e vogël, e vendosur në udhëkryq midis Lindjes dhe Perëndimit ka arritur të tregojë sot se nuk është e pamundur paqja dhe stabiliteti. Sot arrijmë falë diversitetit, falë edhe historisë dhe falë dhe traditës, ta kthejmë në ekonomi dhe të kthehemi kur askush nuk e mendonte në një destinacion turistik", tha Kumbaro.

Kumbaro theksoi se nuk janë në konkurrencë dhe garë me askënd. "Ne mendojmë se të gjithë bashkë jemi komplementarë, plotësojmë një hartë turistike dhe të gjithë bashkë vetëm ndihmojmë njëri-tjetrin", u shpreh ajo.

Ajo shtoi se profili i turistit ka ndryshuar pas pandemisë së COVID-19 dhe sipas saj, çdo turist dëshiron të marrë maksimumin në itinerarin e tyre.

Duke theksuar se kërkojnë të kenë turizëm cilësor, Kumbaro tha se "Ne duam një turizëm të qëndrueshëm, një turizëm që të respektojmë mjedisin".

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë, Zana Çela, në fjalën e saj u shpreh se promovimi i ofertave të ndryshme turistike do ta vendosë rajonin në një destinacion më të favorshëm.

"Duhet të gjejmë rrugë të reja për të promovuar destinacionet tona. Duhet të jemi inovativë. Duhet të ndryshojmë shumë praktika dhe të fuqizojmë kapacitete tona operacionale për të futur metoda dhe praktika të reja", tha Çela.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësues të Nismës së Evropës Qendrore (CEI).

AA