Grupi i parë i emigrantëve të paligjshëm, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, ka mbërritur në Shëngjin.
Anija e Marinës italiane mëngjesin e sotëm solli grupin e parë të emigrantëve prej gjithsej 16 personash, që do të akomodohen në qendrat e ngritura për t'iu nënshtruar më pas procedurave të përshpejtuara kufitare.
Në anijen italiane Libra, e nisur të hënën nga ishulli italian Lampedusa, të gjithë emigrantët e paligjshëm janë meshkuj, ndër të cilët 10 janë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti.
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.