Meloni takon Ramën: Shqipëria sillet si anëtare e BE-së      /Foto: ATA

Edhe pse është vend kandidat, Shqipëria sillet faktikisht si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Me këto fjalë, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, vlerësoi qasjen e Shqipërisë drejt vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Romë.

Meloni tha se Italia ndihet krenare për sjelljen e Shqipërisë, pasi Italia mbetet një nga mbështetësit kryesorë të saj për anëtarësimin në BE.

“Jam shumë e kënaqur për punën që kemi bërë me mikun tim Edi Rama. Shqipëria është kandidate për hyrjen në BE, por Shqipëria sillet, ka një qasje sikur të jetë faktikisht vend i BE-së. Një prej arsyeve që Italia dhe unë jam shumë krenare, sepse Italia është një nga protagonistët kryesorë të mbështetjes për hyrjen e Shqipërisë në BE. Besoj që Ballkani Perëndimor është një vend europian dhe që nga fillimi ne e kemi mbështetur këtë bashkim të Europës. Mbi bazën e këtij bashkëpunimi mund të lindin dhe iniciativa të tjera. Kjo mund të jetë një faqe e re e një bashkëpunimi strategjik”, tha Meloni.

Rama tha se Shqipëria është e lidhur me Italinë në rrafsh historik, kulturor dhe emocional. Ai tha se vonesat në procesin e anëtarësimit në BE nuk e pengojnë Shqipërinë për të parë botën si europiane.

“Shqipëria nuk është një vend UE, por është E. Ne jemi në Europë, jemi shtet evropian, por na mungon U-ja përpara, por ndërkohë kjo nuk na pengon për të qenë dhe për të parë botën si europianë”, tha Rama.

Pas konferencës për mediet, kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni firmosën protokollin mes Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit.

TRT Balkan / agjencitë