Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim homologun nga Shqipëria, Pirro Vengu.
Ministri shqiptar ka zhvilluar vizitën e tij të parë jashtë vendit në Kosovë, ku u prit me ceremoni ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se në takimin me ministrin Vengu, kanë diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake.
Gjithashtu, Maqedonci theksoi se synojnë që bashkë me Shqipërinë të jenë pjesë e NATO-s. Sipas Maqedoncit, Kosova e Shqipëria po bashkëpunojnë në vazhdimësi për t’u përballur me çdo rrezik e kërcënim.
"Vlerësuam gjatë diskutimeve tona se ka mundësi për thellim të bashkëpunimit, sidomos në fushën e trajnimeve, në fushën e operacionalitetit, por gjithashtu edhe në zgjerimin e këtij bashkëpunimi në industrinë ushtarake, që është një element i ri që po paraqitet si nevojë dhe po zhvillohet edhe në Republikën e Shqipërisë, por është iniciuar edhe në Republikën tonë”, deklaroi ai.
Kosova dhe Shqipëria si dy vende demokratike, siç shtoi Maqedonci, po vazhdojnë të kontribuojnë në luftën globale kundër kërcënimeve që cenojnë sigurinë globale.
“Jemi pjesë e përbashkët e shumë iniciativave rajonale dhe synimi ynë do të jetë që bashkë me Republikën e Shqipërisë dhe mbështetjen e saj të jemi në të ardhmen e afërt pjesë e NATO-s dhe pjesë e strukturave të tjera euroatlantike”, shtoi Maqedonci.
Edhe homologu i tij nga Shqipëria, Pirro Vengu theksoi se në këtë takim janë dakorduar një sërë përparësish që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve.
“Kemi dakordësuar një sërë përparësish që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve, investimin në kapitalin njerëzor, keni në dispozicion pa dyshim të gjitha instrumentat e Forcave të Armatosura që nga akademia si të gjithë instrumentët, institutet, në mënyrë që FSK-ja të ketë të gjithë spektrin e sigurisë në vëmendje të trajnimit të forcave apo personelit tuaj”, u shpreh ai.
Ministri Vengu u pyet edhe nëse do të shtojnë trupat në Kosovë, për çka theksoi se kjo ka ndodhur në kuadër të aleancës dhe komandimit të përbashkët.
“Ne jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë në këtë pikëpamje. Është shumë herët për të thënë që nevojitet shtesë në këtë drejtim dhe nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë”, theksoi ministri i Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, shtoi se industria ushtarake është në qendër të vëmendjes së të dyja vendeve.