Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, gjatë vizitës së tij zyrtare në ShBA u prit në takim në Pentagon nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në lidhje me takimin, thuhet se bisedimet u fokusuan në vazhdimin e bashkëpunimit "strategjik të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtje dhe siguri si dhe në forcimin e dialogut politik".
"Sekretari Austin dhe ministri Peleshi diskutuan për ndihmën që iu dha Shqipërisë nga Garda Kombëtare e Nju Xhersit pas sulmit kibernetik dhe ranë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku për të forcuar edhe më aftësitë e mbrojtjes kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes Peleshi shprehu falënderimet për mbështetjen e menjëhershme që dhanë ekipet e specializuara amerikane të mbrojtjes kibernetike, ndërsa shprehu nevojën që mbështetja e ShBA-së të jetë më e zgjeruar edhe për sistemet e tjera në vend, veç atyre të Ministrisë së Mbrojtjes", thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se Ministri Peleshi e konsideroi vitin e kaluar si vit rekord sa u përket projekteve të përbashkëta me ShBA-në, duke përmendur nisjen e punës për bazën taktike të NATO-s në Kuçovë, modernizimin e Forcës Ajrore me helikopterët Black Hawk, si dhe projektet në edukimin ushtarak.
Sipas njoftimit, ministri Peleshi theksoi angazhimin e Shqipërisë për të qenë faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë, ndërsa u shpreh se "Kosova është interesi ynë strategjik kombëtar dhe ne e mbështesim aspiratën euroatlantike të Kosovës".
Në njoftim theksohet se sekretari Austin falënderoi ministrin Peleshi për pritjen që Shqipëria i bëri Stërvitjes "Defender-Europe 21" dhe të Brigadës së Ndihmës së Forcave të Sigurisë së Ushtrisë Amerikane. "Sekretari Austin përgëzoi ministrin Peleshi për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, për angazhimin në NATO dhe përfshirjen në të gjitha operacionet e Aleancës", thuhet në njoftim.